Jozefina Topalli “masakron” politikën/ “Zonja e hekurt” iu tregon vendin Bashës dhe Ramës

Jozefina Topalli

Ish-kryeparlamentarja Jozefina Topalli, e cila njihet edhe si “Zonja e hekurt” e politikës shqiptare, nuk ka kursyer kritikat e forta në drejtim të klasës politike aktuale në Shqipëri.

Ish-nënkryetarja e PD-sëm, Jozefina Topalli është nderuar sot me Çmimin e Karrierës nga Unmiversiteti Luigj Gurakuqi, në Shkodër.

Në fjalën e saj para të pranishmëve në auditor, Topalli ka hedhur kritika të forta, si ndaj qeverisë, por edhe ndaj kreut të PD-së, Lulzim Basha.

Topalli ka drejtuar mesazhe të forta politike, ndërsa theksoi se “Pas 3 dekadave politika është në krizë; vendi është pa përfaqësim. Ekonomia nuk ec. Nuk ka as qeveri dhe as opozitë. Ata kanë deformuar demokracinë e brishtë.

Ata ose bëjnë pazare ose bëjnë shantazhe ndaj njëri tjetrit.

Është më mire të ikin 4 shahistat e të rrijnë shqiptarët.

Nëse forcat e vjetra nuk reformohen, ka vetem një zgjidhje-: Një levizje e Re. Lëvizje për ndryshim.”

Ajo i dha një “shuplakë” kreut të PD-së, kur theksoi se “Unë isha mesuar që sistemi edhe pse isha e para hiqnin foton time nga tabela e nderit, as sot nuk ka ndërruar sistemi. Nëse kritikon shefin shpallesh armike.”.

Topalli ka folur edhe në lidhje me djegien e mandateve, të cilën e ka cilësuar të gabuar.

“Kurrë nuk e kam imagjinuar se do isha kryeparlamentare, por as në ënderr se kam imagjinuar se në liri do kishte mungese përfaqesimi dhe djegie mandatesh.

Më kanë hequr nga politika kur kisha për të dhënë më shumë. 4 persona mbajnë sot peng vendin, vetëm fëmijët tanë mund të sjellin ndryshimin. Do të ishte më mirë të iknin katër shahista, sesa të largohen shqiptarët nga vendi i tyre”, -tha Jozefina Topalli.

Po ashtu, Topalli ka rrëfyer edhe pjesëza të jetës së saj, që nga viti 1977, kur është ulur për herë të parë në auditoret e këtij universiteti.

Fjala e plotë e Topallit:

Ishte viti 1977.

Në auditorin A1 të Universitetit tonë po bëhej  olimpiada e matematikës për rrethin e Shkodrës.Ky ishte kontakti i parë me Institutin,sic quhej në atë kohë.Isha e vogël, në klasën e shtatë. Hyra me shumë emocione në atë sallë. U ula  diku tek banka e dytë nga dritaret.Më dukej se kohën e kisha kundërshtare. Ajo po më ikte dhe unë ende nuk po e zgjidhja njërën nga ushtrimet.

Në një moment mu duk se e kapa ..se gjëja po ecte .. e në fakt e bëra.I zgjidha të gjitha… E ndjeva  se ia dola.

Kur koha mbaroi unë i kisha hedhur një sy të fundit. Dorëzova fletoren dhe i rashë nga piaca për në shtëpi.

Isha gjithë gëzim, po ecja shpejt për t’ treguar në shtëpi se isha e sigurtë se do vlerësohesha.Të nesërmen në shkollën 11 Janari , të gjithë e kishin marrë vesht se unë kisha marrë vendin e parë.

Po fluturoja.

Kur zilja ra për pushim,po zbrisja shkallët me shoqet e klasës, për me dal në oborr.Në shkallë ishte mësuesi im.

Prit pak më tha. Ti ke dal e parë në matematikë në olimpiadë. Por, cmimin nuk mund ta japim në emrin tend. Do i jepet shkollës sonë.Kujtoj që , u gëzova se u konfirmu nga mësuesi që unë kisha dal e para.

Të tjerat nuk kishin rëndësi. Kam pritur mbi  40 vjet me ardh përsëri këtu.Kësaj rradhe për një cmim me emrin tim. Para pak ditësh më erdhi një mesazh në celular nga një pedagoge e universitetit, e cila më vuri në dijeni se do nderohesha me një çmim nga Universiteti “Luigj Gurakuqi”.

E lexova , por ndërkohë po mbaja në krah fëmijën e sapo lindur të vajzës.Thashë do i përgjigjem sapo të jem e lirë. U çudita. Zakonisht , kur bie nga pushteti nuk të japin cmime. E gjeta veten me buzë në gaz. Pastaj thashë..

Eshtë Universteti i Shkodrës. Dhe dua ta them , se jam shumë mirënjohëse për këtë cmim, për të gjithë ju profesorë, që u kujtuat, e votuat dhe sot jeni me mua në këtë ceremoni shumë prekëse për mua.

Gjatë kohës së gjimnazit, në sallat e këtij universiteti   pastaj jam kthyer cdo vit. Gjithnjë për olimpiada të matematikës. Më ishte rritur besimi në vete, punoja shumë për të ruajtur vendin e parë.

Dhe kisha një ëndërr. Të bëhesha si Marie Kyrie.

Një herë , nuk po dija me zgjidh një problem. Gjithë mbasditen ndejta duke punu e nuk ia dola.

Kur rashë me fjetë, mora një fletë dhe lapsin nën jastek , gjithnjë me mendjen tek problemi.Kujtoj që më doli gjumi, dhe isha krejt e kthjelltë për zgjidhjen. Mora letren e lapsen dhe e e bëra.

Nëse kush mendon se politika ka qënë pasioni im gabohet. Ndoshta unë jam sot këtu për shkak të angazhimit tim 20 vjecar në politikë.Por pasioni dhe dashuria ime e madhe ka qënë matematika.Numrat këndonin dhe matematika ishte muzikë për mua. Dhe sic ndodh shpesh,  pasioni  i madh pengohet  rrugës.

Ashtu sic ma bënë në klasën e parë , kur më hoqën foton nga tabela e nderit, njëlloj për 10 vite rresht më hoqën të drejtën për të studjuar.Ky fat ishte caktuar para se unë të lindja dhe do më ndiqte deri në ndryshimin e sistemit. Kur mbarova gjimnazin me mesatare 10 une ende doja të besoja se , meqë të tjerët nuk preferojnë matematikë dhe unë isha fituese edhe në shkallë kombëtare e olimpiadës së matematikës , do më jepnin të drejtën për të studju.

Kujtoj im atë, që më thoshte:Neve na kanë shpallir armiq të popullit. Si mendon se mund të të lejnë të ndjekësh studimet e larta.?!!Se pse unë isha armike e popullit unë prap se kuptoja.Por kush mendon se historia nuk përsëritet gabohet.

Nëse sot guxon të thuash cfarë beson dhe kritikon shefin”  përsëri armik  mund të të shpallin.Mund të të thojnë se je edhe e deklaruar ..biles edhe kolaboracioniste.

Atëhere nuk e  dija, dhe as doja ta mendoja se jeta nuk është një qiell pa stuhi, nuk është një rrugë pa aksidente, nuk është një relacion pa zhgënjime e dhimbje.

Une jo vetëm nuk u bëra Marie Kyrie, por gjërat u komplikuan dhe më shumë rrugës. Në vend të studimeve unë fillova punë si nxënëse në fabrikë në tezgjah.Më premtuan që pas 6 muajsh do fillosh të paguhesh.

Ne ishim 6 vetë në familje. Jetonim vetëm me pensionin e babait( 4 mijë lekë). Nëna ime bënte punë dore me ndihmu dicka.Më kishte mësuar edhe mua të punoja me shtiza centro, t’i ngrija , të qëndisja , të punoja triko, etj etj.

Kështu që mezi po prisja të filloja të merrja rrogën. Por, kur kaluan 6 muaj më thirri drejtoresha e më tha se :- për ty nuk kemi vend pune.U ktheva në shtëpi, pas 6 muajsh punë me tre turne pa asnjë lekë në xhep.

Pas ca kohësh më dhanë letrën e punës për punëtore tre turnesh në uzinën e telave.Por kur i dorëzova letrën shefes së kuadrit , e mori e lexoi dhe më nxori nga dera.

Unë nuk kisha besimin për të punuar as në uzinën e telave, punëtore me tre turne.Dikur,pas 2 vitesh babai i një shoku të klasës në tetëvjecare me ndimoi me fillu punë në stacion të misrit.Aty kam punuar rreth 8 vite si punëtore bujqësie.  Nga 20 deri në 28 vjece.

Kam mih tokën, kam rradhu, kam prashit, kam hedh plehun, kam mbajt thasë etj. Në 91 dhashë një Konkurs ( provim) pranimi.

Më pranuan në fakultetin e matematikës, në Tiranë. Vitin e parë e mbarova shumë mirë. Por meqë kisha vajzën e vogël , u ktheva në universitetin e shkodrës ku studjova vitet e tjera dhe ku u diplomova.

Mbaj mend se në ceremoninë e diplomimit unë shkova me vajzën time për dore. Ishte një ditë e bukur.

Si ajo dita kur fitova për herë të parë në klasën e shtatë.

Sic e dini tashmë, unë kam dështuar për shumë vite, deri sa hyra në universitet.

Unë kurrë nuk e kisha parë në ëndërr të bëhesha Kryetare Parlamenti.

Por kurrën e kurrës nuk mund ta besoja se në liri , vendi ynë të vuante nga mungesa e përfaqësimit, sepse dikujt, për të ruajtur karrigen e vet i interesonte djegia e mandateve dhe mos hyrja në zgjedhje.

Gjërat janë të çuditshme në jetë. Kur më ofruan të bëhesha deputete isha rreth 32-33 vjece.

Kisha dështuar edhe në ëndrrën time për të dhënë mësim matematike, në fakultetin e shkencave këtu, sepse vendet po mbylleshin. Isha kancelare dhe sapo kisha fillu me dhanë mësim të drejtën publike.

Në 96 më zgjodhën menjëherë kryetare komisionit të ligjeve , kur unë kisha krejt pak eksperiencë, e pas një viti, kur dolëm në opozitë në ‘97 më votuan për nënkryetare Kuvendi.

Opozita më mësoi të njoh vendin, njerëzit, problemet, sfidat. Pushteti më dha privilegjin të kontriboja për liberalizimin e vizave dhe futjen e vendit në Nato.

Kur unë fitova një eksperiencë të madhe dhe isha më kompetente se vite më parë, më larguan.

Kam hyrë në politikë kur koha ishte, që të qualifikohesha.

Më nxorën nga nga parlamenti kur kisha  kompetencat dhe kualifikimet e duhura.

Kam qenë edhe nxënëse me nota shumë të mira edhe nuk duhej të bëja universitet.

Kam qenë edhe “ armike edhe përfaqësuese e qytetit tim.

Kam qenë edhe punëtore bujqësie edhe kryetare parlamenti.

Kam qenë në fund …kam hypur në majë. Kam gabuar shumë herë. Kam patur maturinë për t’a pranuar dhe kam kurajon për të thënë se më vjen keq.

Por kurrë nuk kam bërë një gabim. Nuk jam dorëzuar kurrë. Kam vrapuar pas besimeve të mija,pa pyetur për pasojat. Kam qenë e privilegjuar me përfaqësu  Shkodrën .

Në botë ka shumë qytete të bukura. Për mua Shkodra është më e bukura, më inkluzivja, më e vërteta.

Dhe e vërteta ka qenë liria ime dhe liria e qytetit tim.

Ndonjëherë edhe nuk ia kam dal, por edhe kam ditur të gjej :-forcën për të fal, shpresën për të bërë beteja, sigurinë kur kam frikë, dhe miqësinë kur ka mos marrëveshtje

Gjatë 3 viteve të fundit kam patur  kohë për reflektim , por edhe më shumë kohë për të gëzuar buzëqeshjen, për të reflektu mbi trishtimin., për të përqafuar më shpesh fëmijët dhe për t’i qëndruar më afër nënës sime që nuk lëviz nga shtrati.

Nuk të bëjnë të lumtur vetëm duartrokitjet, por gjen vehten të lumtur edhe në anonimat.

Dhe sot jam shumë e nderuar që qëndroj para jush, në universitetin e qytetit tim.

Falenderoj rektorin për fjalet e mira. Senatin e shoqatën e Alumni për zgjedhjen. Unë nuk besoj se kam qënë më e mira.

Mendoj se kam një histori ku kam provuar se e vërteta është Liria ime. Dhe këtë e kam nga qyteti im.

Unë nuk e di nëse kam bërë zgjidhjet më të mira në jetën profesionale. Por di të them se po të kthehesha mbrapsht mbase do merresha me teknologjinë e informacionit. Ia kam këshilluar fëmijëve të mij. Do ia sugjeroja pa dashtë me u imponuar cdo gjimnazisti.

Ne po jetojmë kohën e revolucionit të katërt industrial. Po jetojmë sfidat e inteligjencës artificiale.

Meqë politika nuk e ka mendjen , do ju përsërisja sot si qytetare e shkodrës. Ne duhet të ndjekim zhvillimet e kohës. Dhe shqiptarët mund t’ia dalin në një fushë ku shumë të rinj të tjerë në botë , të privilegjuar do ia përtonin dhe nuk do donin të lodheshin.

Jack Ma thotë:-

“Unë mendoj se në 30 vitet e ardhshme, bota do ndryshojë shumë. Tecnologjia e re do të ndryshojë cdo aspekt të botës. Ne duhet të ndryshojmë që tani.

Mes gjithë sfidave , unë mendoj se gjëja më sfiduese është  edukimi. Biles, edhe universitet më të mira në botë, do përballen me të njëjtat sfida, sepse cdo gjë që i mësojme fëmijëve tonë janë gjëra që ia mësojme tash 200 vjet, dhe që makinat do e bëjnë më mirë.

Ndaj , ne duhet të mendojmë se cilat janë rrugët më të mira, cilat janë përmbajtjet që duhet t i mësojmë fëmijëve në të ardhmen.

Ne do i mësojmë fëmijëve mënyrën se si makinat kurrë nuk do të arrijnë,sepse makinat kanë vetëm chips, njerëzit kanë shpirtin. Kështu, ne duhet të ndryshojmë që tani sistemin e edukimit.

Por..ndërkohë unë.

E di që prindërit tuaj kanë shumë halle e mendime nëpër kokë.

Dëgjoj shpesh se ata janë të trishtuar për të ardhmen e fëmijëve të tyre.

Dëgjoj cdo ditë që njerëzit ikin, se shpesh janë buzë dëshpërimit.

Dhe kam dhimbje të madhe kur shoh të mbyllen shkolla se fëmijët e të rinjtë kanë ikur; se rrugicat janë zbrazur dhe qytetet po vazhdojnë të braktisen.

Nga të gjitha problemet e krizat që kalon vendi, boshatisja e vendit më duket më e rënda.

Ka vetëm një gabim që nuk duhet ta bëjmë kurrë.

Mos të dorëzohemi.

Më mirë se studentët askush nuk mund të fillonte një lëvizje kundra katër personave që mbajnë peng vendin. Eshtë kur i humbet të gjitha që ndihesh i fortë,është atëherë që frika nuk të bën më frikë.

Pas 3 dekadave politika është në krizë; vendi është pa përfaqësim. Ekonomia nuk ec . Nuk ka as qeveri dhe as opozitë. Ata kanë deformuar demokracinë e brishtë. Ata ose bëjnë pazare ose bëjnë shantazhe ndaj njëri tjetrit. Eshtë më mirë të ikin 4 shahistat e të rrijnë shqiptarët.

Nëse forcat e vjetra nuk reformohen, ka vetëm një zgjidhje-: Një lëvizje e Re.

Lëvizje për ndryshim.

Dhe mendimi im është tek të rinjtë e të rejat, dhe ju që keni gjithmonë zemrën e re.

Mendo pak..

Cfarë force e madhe ndodhet brenda jush.

Mos e fusni atë në guackë për të pritur për nesër.

Mos e shtyni më për javën e ardhshme , për muajin e ardhshëm, për vitin e ardhshëm..

Cfarë e bën këtë vend të vecantë jeni Ju.

Mos e harroni këtë.

Ata që janë në krye të partive kanë frikë nga ju.

Më besoni mua.

Mos lejoni më që t iu heqin fëmijët nga shtëpia e t iu a hedhin në emigracion.

Mjegulla nuk mundet që të na errësojë përjetë shikimin

Ndoshta ndonjë nga të rinjtë këtu do fillojë lëvizjen për ndryshim, e ndoshta nesër do jetë në Parlament , për ti kthyer vendit e Kuvendit shpresën e dinjitetin.

Ndoshta nuk do jetë në Kuvend, por do jetë në Bashkinë e tij për t’i dhënë shpresë qytetit; do jetë në punën e tij për t ‘i dhënë jetë e perspektivë familjes.

E si ju në Shqiperi ka me mijëra.

Përfetyrojeni kur të bashkohemi të gjithë bashkë.

Që vendit t’i kthehet shpresa, të rinjve mundësia për punësim; të moshuarve një pension me dinjitoz,; shëndetit t’i jepet kujdesi e shërbimi i duhur, e në fetyrat e njerëzve të kthehet buzëqeshja.

Mjaft me dëshpërim. Bëhuni autore të fatit tuaj.

Jeta juaj është ndërmarrja më e madhe e botës.

Jeta është një spetakël  i pa besueshëm.

Ju sot më dhatë mundësi të udhëtoj brenda vehtes.