Buletini Mujor

 

 

Ky është numri i parë i buletinit Kujdesi na Mbron, në kuadër të ndërgjegjësimit të popullatës kundrejt situatës së shkaktuar nga pandemia globale Covid-19.

Ndryshimet si pasojë e pandemisë globale Covid-19, kanë ndikuar realitetin e shumë familjeve dhe fëmijëve. Veçanërisht fëmijët, janë shumë të ndjeshëm e të ndikueshëm nga situata si kjo që po kalojmë. Në këtë këndvështrim UNICEF Albania në bashkëpunim me USAID dhe Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, po vazhdojnë të informojnë popullatën, me anë të fushatave gjithëpërfshirëse e interaktive nën sloganin “KUJDESI NA MBRON”.

Të gjendur përballë një situate të pa përjetuar më parë, informimi korrekt gjatë gjithë periudhës së pandemisë së COVID-19 është thelbësor për të shmangur panikun dhe për të ndaluar përhapjen e informacioneve të rreme që shkaktojnë frikë dhe ankth tek të gjitha grupmoshat.

image

 

 

image

Për të vlerësuar punën e palodhur të gazetarëve por edhe për t’i patur krahë gjatë gjithë fushatës me informim korrekt të rregullave dhe lajmeve mbi COVID-19, fushata u prezantua fillimisht tek media si një ndër aleatët kryesorë, për të përcjellë në mënyrë korrekte, informacionin mbi masat parandaluese të përhapjes së virusit. Ne e konsiderojmë të rëndësishme, që publiku të informohet mbi atë që dihet dhe nuk dihet për pandeminë, si dhe lidhur me masat që janë ndërmarrë dhe do të ndërmerren në vijim, për të parandaluar përhapjen e sëmundjes.

Ka shume studime që vërtetojnë se fëmijët janë influencuesit më të mirë të sjelljes së të rriturve. Fëmijët dhe prindërit, jo vetëm që do të informohen, por edhe do të argëtohen, me anë të lojërave dhe aktiviteteve me Muppets që do të zhvillohen enkas për ta.

Fushata është bazuar mbi elementët krijues, siç janë personazhet e animuara, si një faktor kryesor për të tërhequr vëmendjen e fëmijëve, prandaj edhe komunikimi i fushatës do të realizohet përmes personazheve më të dashur për ta, në kanalet që ata ndjekin.

Të gjithë e dimë që veprimet për sigurinë e fëmijëve janë thelbësore, por mjediset e kopshteve apo shkollave, nuk duhet të duken si spitale. Tani më shumë se kurrë, fëmijët kanë nevojë për mjedise të sigurta, argëtuese dhe stimuluese.
Për të sjellë tek fëmijët, jo vetëm informim, por edhe argëtim, duke i kthyer rregullat nga bezdisëse në zbavitëse, jemi bazuar në atë çfarë pëlqejnë më shumë fëmijët dhe adoleshentët. Fushata, parashikon integrimin e komunikimit të drejtpërdrejtë, atë tradicional me përdorimin e rrjeteve sociale, Instagram dhe Facebook. Të mësojmë rreth virusit duke u zbavitur është dhe synimi i fushatës. Një ndër platformat, që nxit dhe pjesëmarrjen e vetë fëmijëve është dhe aplikacioni mjaft popullor për fëmijët, ‘TikTok”

Sfida e ‘TikTok’ synon të sjellë frymë pozitive dhe kreative tek fëmijët, duke i bërë të ndërgjegjshëm mbi rëndësinë e ruajtjes së higjienës personale.

Në qendër të fushatës, është edhe komunikim i drejtpërdrejtë me fëmijët dhe komunitetin ku ata jetojnë. Personazhet e filmave vizatimorë, video-lojërave, por edhe personazhe të tjerë me influencë do të “udhëtojnë” në qytete të ndryshme të Shqipërisë dhe në zona rurale, për të përcjellë mesazhin kyç të fushatës #kujdesinambron si dhe mbrojtja e vetes dhe e të tjerëve, përmes praktikës së duhur të larjes së duarve dhe higjienës është më e rëndësishme se kurrë më parë.

Përtej prezantimit në rrjetet sociale, mesazhi i fushatës do të shtrihet më tej, duke përfshirë familjet, mësuesit, gazetarët – si target grupe të rëndësishëm dhe influencues në sjelljet e fëmijëve.
Në arritjen e kësaj audience masive, rol të rëndësishëm do të luajë edhe guerrilla marketing, duke i bërë mesazhet më të prekshme, pasi fushata synon jo vetëm gjendjen psikologjike të fëmijëve, por edhe të sjellë një frymë ndryshe për të ndërtuar sjellje të përgjegjshme.

Aktivitetet e fushatës, do të pasojnë me evente livestream, vizita në shkolla, për të mos harruar përfshirjen e personazheve me influencë të cilët në mënyrë informuese, ndërgjëgjësuese por edhe zbavitëse do t’ju përgjigjen pyetjeve të fëmijëve.

image

Për të qëndruar në kontakt me të rejat më të fundit nga fushata e UNICEF Albania, na ndiqni në kanalet tona.