Nga Joschka Fischer “Project Syndicate”

* Viti 2020 sapo ka hyrë, por rëndësia e tij historike është tashmë mëse e qartë. Të paktën për sa i përket Perëndimit, ngjarjet e parashikueshme muajt e ardhshëm do të kenë një ndikim dhe vendimtar për të ardhmen. Momenti i së vërtetës do jetë më 3 nëntor 2020, kur votuesit në Shtetet e Bashkuara do të zgjedhin presidentin e ardhshëm të vendit.

Sigurisht, zgjedhjet presidenciale në SHBA kanë qenë gjithmonë të rëndësishme për botën, pasi ato përcaktojnë se kush do ta udhëheqë vendin më të fuqishëm në botë për 4 vitet e ardhshme. Por këtë here, në lojë janë shumë gjëra. Rizgjedhja e Presidentit Donald Trump, mund të parathotë fundin e rendit botëror liberal, dhe sistemit të aleancave që Amerika ka mbështetur që nga vitet 1940.

Duke u distancuar nga tradita e udhëheqjes globale të Amerikës, Trump favorizon një nacionalizëm dritëshkurtër, teksa ka treguar pak vetëpërmbajtje në dëmtimin e demokracisë amerikane, jo vetëm duke sfiduar ndarjen e pushteteve, por dhe institucionet e tjera thelbësore. Nëse Trump do të fitojë në nëntor, ai do të ketë një mandat për të vazhduar në këtë rrugë edhe për 4 vjet të tjerë.

Mos harroni:ka një ndryshim të madh nëse Trump është në detyrë për 8 vjet, dhe jo vetëm për 4 vjet. Përveç amerikanëve, evropianët do të ishin të parët që do të ndienin pasojat e një mandati të dytë të Trumpit. Fakt është që Evropa mbetet e varur nga SHBA-ja, si ekonomikisht ashtu edhe për sigurinë e saj.

Kjo varësi është një trashëgimi e shekullit XX-të, me 2 luftërat e tij botërore dhe Luftën e Ftohtë. Kur Trump u zgjodh president në vitin 2016, gati të gjithë brenda dhe jashtë SHBA, u kapën në befasi. Në vitin 2020, askush nuk do të bëjë sërish të njëjtin gabim.

Por, askush nuk mund të pretendojë se nuk e di se çfarë vjen me Trumpin. Nëse Trump rizgjidhet në detyrë, ka shumë të ngjarë që ai të sillet edhe më radikalisht. Por pavarësisht pasojave të saj katastrofike, ideja e një “mandati të dytë të Trump”, nuk e ka tronditur Bashkimin Evropian nga zakoni i tij për t’u marrë si zakonisht me punët e veta.

Zyrtarët e BE-së, janë duke negociuar termat e buxhetit të ardhshëm 7-vjeçar prej 1 trilionë eurosh. Një pjesë e debateve, sillen rreth një beteje të re mbi ndarjen e fondeve rajonale dhe të politikës bujqësore të përbashkët (CAP) pas Brexit. Presidenca e Trump, ka qenë një faktor i papërfillshëm në proces.

Dhe megjithëse një strategji për të arritur sovranitetin e Evropës nga SHBA, do të kërkonte domosdoshmërisht angazhime të reja financiare, kjo çështje nuk është prekur ende. Në vend të kësaj, brenda Këshillit Evropian, kanë dominuar interesat kombëtare afatshkurtra. Duket sikur bota nuk ka ndryshuar në thelb gjatë 3 viteve të fundit.

Dikush mund të mendojë se përparësitë e liderëve evropianë, do të përshtateshin me presidencën e Trumpit, shfaqjen e Kinës si një fuqi globale, riarmatimin e Rusisë, dhe rritjen e ekonomisë dixhitale. Por jo:interesat vetjake po e dominojnë axhendën në Bruksel dhe në kryeqytetet kombëtare të Evropës (të cilat kanë luajtur gjithnjë një rol themelor në qeverisjen e BE).

Të menduarit strategjik, dhe një ndjenjë e përgjegjësisë historike janë në rastin më të mirë, një lloj pasqyre. Ç’është më e keqja, kjo gjendje mbizotëron pavarësisht nga fakti se nuk ka çështje më të rëndësishme për Evropën, se sa zgjedhjet presidenciale amerikane.

Evropianët duhet të përgatiten për më të keqen. Çështja kryesore, si për Evropën ashtu edhe për Perëndimin më gjerësisht, është nëse NATO mund t’i mbijetojë një mandati të dytë të Trump.

Nëse NATO do të shpërbëhej, Evropa dhe rajoni i Atlantikut të Veriut, do të përballeshin befas me një krizë të madhe sigurie. Në fakt, pa lidhjen transatlantike që garanton Aleanca, vështirë se mund të flitet fare për “Perëndimin”. Dhe Evropa me siguri që s’do të jetë në gjendje ta menaxhojë sigurinë e vet.

Në Bruksel, por sidomos në Këshillin Evropian, axhenda kryesore duhet të pasqyrojë faktin se bazat strategjike për shekullin XXI po hidhen pikërisht tani. Siguria dhe sovraniteti i Evropës tani janë në rrezik.

Bashkimi Evropian, duhet ta pyesë veten nëse është i gatshëm që të bëjë atë që është e nevojshme për të mbetur një lojtar i pavarur, i bashkuar në interesin e përbashkët të të gjithë evropianëve. Në të kundërt, qëndrueshmëria e Evropës si një entitet demokratik, sovran për të kontrolluar fatin e vet, do të vihet në dyshim si kurrë më parë./ Përshtatur nga CNA.al