Gazetari Mentor Kikia ka dhënë alarmin se shteti është lëshuar i tëri.

Duke iu referuar ngjarjeve të drejtësisë, ku një i dënuar i përjetshëm u la në liri, apo një tjetër nxirret “shëtitje”, Kikia ka thënë, se duhet dokumentuar kjo situatë.

“Historianët duhet të mbajë shënim, pasi kjo “epokë” duhet dokumentuar. Do t’u duhen të fakte atyre që do të vijnë pas nesh ndryshe nuk do ta besojnë.

Shteti është lëshuar i tëri. Jo thjeshtë të vjedhë kush të vjedhë. Po hapen dyert e burgjeve…”, ka shkruar Kikia në rrjetet sociale.

Më tej është ndalur tek rastet konkrete, duke shenjëstruar drejtësinë.

“Një gjyqtare në Krujë del mbi Gjykatën e Lartë dhe rrëzon dënimin me burgim të përjetshëm për një eksponent të botës së krimit.

Një anëtar i bandës së Durrësit, ishte dënuar me vendim të formës së prerë, nga Gjykata e Shkallës së Tretë, me burgim përjetë. Por pas 16 vjetësh, një gjyqtare, e “Shkallës së Katërt” në Krujë e hedh poshtë këtë vendim, duke e ulur dënimin në 25 vjet.

Pastaj, një matematikë e thjeshtë: Ca vite amnisti, ca vite ia konverton në shërbim prove dhe dera e burgut u hap.

Tre javë më parë, një tjetër gjykatësve e “shkallës së katërt” në Elbasan liroi, në të njëjtën mënyrë, një tjetër person të rrezikshëm, i dënuar me 25 vjet burg.

Ndërsa një tjetër të fortë, e nxjerrin me “leje” nga burgu për të pirë kafe në Bllok.

Por dje ama, shteti dërgoi në burg një fshatar në Arapaj të Durrësit, sepse po bënte një mur mbrojtës meqë kishte rrëshkitur toka e po i shembej shtëpia”, ka shkruar Kikia.

Kikia i ka bërë thirrje Këshillit të Lartë Gjyqësore që të ndalojë këto raste skandaloze.

“KLGJ duhet të ndalojë në këto raste skandaloze. Gjykatësve që nuk kanë kaluar ende Vettingun u duhet ndaluar të marrin çështje me ndjeshmëri kaq të madhe”, ka përfunduar Kikia, reagimin e tij./CNA.al