Kam lindur në Tiranë më 28 mars 1974. Në vitin 1991, së bashku me familjen emigrova fillimisht në Greqi dhe më pas në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku jetova rreth 13 vjet. Shkollën e mesme, të nisur te “Petro Nini Luarasi” në Tiranë, e përfundova në Baltimore City College (Merilend). Në vitin 1997, u diplomova për histori shkence dhe filozofi në Saint John’s College (Merilend). Në periudhën 2001-2003, kreva studimet Master për Zhvillim Ekonomik Ndërkombëtar në John Hopkins University (Uashington).
Karrierën profesionale e nisa në vitet 1997-1999, si analist i menaxhimit të riskut në bankën Bankers Trust, në Wall Street (Nju Jork). Në periudhën 2003-2005 punova si konsulent për hartimin e politikave të zhvillimit në Bankën Botërore (Uashington).
Menjëherë pas kthimit në Shqipëri, u emërova Zëvendësministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës (2005-2007), ku dhashë kontributin tim në hartimin e politikave të zhvillimit ekonomik të vendit. Në 2007-2009, drejtova Korporatën Energjetike Shqiptare (KESH). Së bashku me ekipin e saj e nxorëm vendin nga kriza energjetike duke siguruar, brenda dy vjetësh, furnizim të vazhdueshëm të vendit me energji. Në tetor 2009, dhashë dorëheqjen nga KESH-i, menjëherë pas krijimit të koalicionit PD-LSI. Gjatë vitit 2010 drejtova Inspektoratin Ndërtimor Urbanistik Kombëtar (INUK) dhe fillova zbatimin e një programi për çlirimin e hapësirave publike nga ndërtimet e paligjshme. Pas 12 muajsh në detyrë, u shkarkova për shkak të rezistencës sime ndaj përdorimit të INUK-ut si mjet shantazhi politik, si dhe për shkak të denoncimeve që bëra për disa ndërtime të paligjshme në pronësi të njerëzve të afërt me qeveritarë të kohës. Që prej tre vjetësh jam bashkëthemelues, aksionar pakice dhe administrator i një kompanie me pronësi italo-shqiptar për importin e hidrokarbureve.
Gjatë qëndrimit në SHBA, kam qenë aktiv në jetën e komunitetit shqiptar në zonën Virxhinia-Merilend-Uashington, ku ndër të tjera kam qenë bashkëthemelues i shkollës “Mësonjëtorja” për mësimin e gjuhës shqipe të fëmijëve të komunitetit shqiptar. Në periudhën 2007-2011, kam shërbyer si anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës. Në vitet 2013-2015, kam qenë bashkëkryetar i Forumit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore.
Pasioni im kryesor është alpinizmi. Kam ngjitur disa nga majat më të larta të botës, përfshirë edhe majën e Everestit. Pasion tjetër imi është bujqësia dhe blegtoria. Në vitin 2002, bashkë me prindërit, blemë njw tokë në Farkë, ku kultivojmë në mënyrë modeste prodhime blegtorale dhe të kopshtit tonë. Prej 17 vjetësh, jam i martuar me Jolën. Kemi dy fëmijë në moshën e adoleshencës. Jetojmë së bashku me prindërit e mi në Farkë.
|