masonet

Prej më shumë se 300 vjetësh, bota e Masonëve ka qenë një çështje tejet sekrete. Sot me zhvillimin e mediave sociale dhe internetit, ajo po përballet me modernizimin, teksa vazhdon anëtarësimet e reja, duke siguruar ruajtjen dhe trashëgiminë e sekreteve të saj.

Por çfarë është masoneria? Ajo besohet se i ka rrënjët në shoqatat e tregtarëve të mesjetës. Këto shoqata profesionale, ishin veçanërisht të rëndësishme për muratorët, që udhëtonin shpesh për të punuar. Takimet e fshehta, fjalët e koduara dhe simbolet, ndihmuan në nxitjen e besimit të ndërsjellë midis anëtarëve, dhe i dhanë masonërisë një atmosferë misteri, të cilën ajo e ruan edhe sot.

Deri në vitin 1717, kur në Londër u bashkuan 4 llozha për të formuar atë që njihet tani si Llozha e Madhe e Bashkuar e Anglisë (UGLE), masoneria kishte evoluar në një organizatë më të përgjithshme vëllazërore, të hapur për të gjitha profesionet.

Sipas UGLE, vetëm në Angli jetojnë më shumë se 200.000 masonë, 150.000 të tjerë janë në Irlandën Veriore, Irlandë dhe Skoci, ndërsa rreth 6 milionë masonë në mbarë botën. Shumica e llozhave, praktikojnë ato që njihen si “masoneri” e rregullt, e hapur ndaj burrave me një “imazh të mirë”, të cilët besojnë në një “Qenie Supreme”.

Tri parimet thelbësore të masonerisë janë vëllazëria, e vërteta dhe bamirësia. Vetëm Llozha e Madhe e Bashkuar e Anglisë, pretendon se në vitin 2018, ka dhënë për bamirësi mbi 48 milionë paund të grumbulluara nga anëtarët e saj, “për kauzat që ia vlejnë”.

Po çfarë ndodh brenda një llozhe masonike? Takimet që ndodhin aty, janë shumë ngjashme me ato të një klubi shoqeror. Ka një rend dite, dhe diskutohet mbi aktivitetit e bamirësisë dhe ato shoqërore. Sidoqoftë, ceremonitë misterioze të masonëve, kanë nxitur shpesh imagjinatën e publikut.

Anëtarët bëhen pjesë përmes disa fazave, përpara se të fitojnë përvojën dhe njohuritë mbi dogmën dhe ritualeve të shoqërisë, për t’u quajtur më në fund “Mjeshtër Mason”. Sipas Llozhës së Madhe të Scocisë, praktikohen “një seri aktesh” për t’u mësuar anëtarëve parimet e masonerisë, të cilat përfshijnë mitin alegorik të themelimit, që e lidh këtë urdhër sekret me Tempullin e Madh Biblik.

Sipas ”Business Insider”, 14 nga 45 presidentët e SHBA-së kanë qenë masonë, mes të cilëve presidenti i parë i vendit,Xhorxh Uashington, Xhejms Munro, Endrju Xhekson, Teodor Ruzvelt, Frenklin D.Ruzvelt, Herri Truman dhe Xherald Ford. Një nga etërit themelues të SHBA-së, Benjamin Feanklin, ishte gjithashtu një mason.

Ai redaktoi dhe botoi librin e parë të Masonerisë Amerikane në vitin 1734. Edhe Britania e Madhe, ka pasur shumë udhëheqës anëtarë të llozhave masonike, si ish-kryeministrat Kening dhe Uinston Çërçill, dhe mbreti Eduardi VII.

Anëtarët e tjerë të famshëm të masonëve, ishin shkrimtarët britanikë Rudjard Kipling dhe Oskar Uajlld, aktori i famshëm hollivudian Xhon Uejn, dhe komediani amerikan Riçard Prior. A mund t’i bashkohen masonëve edhe gratë? Për gati 200 vjet, anëtarësia ishte e kufizuar vetëm për burrat.

Por kjo praktikë ndryshoi në fillim të shekullit XX-të, kur në Britaninë e Madhe u hap në vitin 2008 llozha e parë masonike për gratë. Gratë kanë aktualisht dy llozha të veçanta:Vëllazëria e nderuar e Masonëve të Lashtë, dhe Urdhri i Masonëve Gra.

Në vitin 2018, edhe Llozha e Madhe e Bashkuar e Anglisë, njoftoi një “politikë të re gjinore”, në lidhje me anëtarësinë. Sipas rregullores së re, cilido që dëshiron t’i bashkohet llozhës duhet të jetë mashkull, por pasi të jenë pranuar ata mund të qëndrojnë anëtarë, edhe nëse shndërrohen në gra.

Aty mund të aplikojë edhe një kandidat që është bërë burrë. Megjithatë, disa tradita të vjetra mbeten. Si për shembull, kur përshëndesin zyrtarisht vëllezërit e tjerë, ata t’i thonë “Vëlla”. Në vitin 2017, shoqëria sekrete kremtoi 300 vjetorin e themelimit.

Ajo mori vendimin që lëvizja të ishte më e hapur dhe më proaktive mbi punën e saj. Në funksion të këtij qëllimi, masonët janë aktivë në rrjetet sociale Facebook dhe Twitter, për të promovuar punën që bëjnë. Por në fillim të shtatorit të këtij viti, Llozha e Madhe e Skocisë, i braktisi mediat sociale në pritje të një rishqyrtimi të brendshëm, për shkak të frikës se sekretet e ruajtura prej kohësh me fanatizëm, po shpërndahen në internet.

A kanë lidhje me Masonët me Illuminati? Teoricienët e komploteve, i përdorin termat “mason dhe “Iluminati” përkrah ose në vend të njeri-tjetrit, për t’iu referuar “rendit të ri botëror”, një qeverie e fuqishmë në hije, që supozohet se drejton çështjet globale.

Por përtej interesit të përbashkët mbi ritualet mistike dhe simbolikën, nuk ka asnjë lidhje të qartë midis masonerisë dhe Iluminatit, që është një urdhër jetëshkurtër i themeluar në rajonin gjerman të Bavarisë në shekullin XVIII-të. Lidhja mes të dyjave mund të ketë lindur, pasi Iluminati rekrutonte shumë anëtarë të llozhave masonike.

Megjithëse rregullat e urdhrit, i ndalojnë masonët ta përdorin anëtarësinë e tyre për përfitime personale ose profesionale, ndikimi i tyre në institucionet publike të Britanisë – sidomos në sistemin gjyqesor – është vënë në dyshim. Sugjerimi se politikanët, gjyqtarët dhe policia, mund

të jenë anëtarë të shoqërisë së fshehtë, ka ngritur shqetësime mbi transparencën dhe nepotizmin. Pasi u dorëhoq nga drejtimi i Sindikatës së Policisë britanike në dhjetorin e vitit 2017, Stiv Uajt tha për “The Guardian”, se reformat në polici, përfshirë përfaqësimin më të mirë të grave dhe pakicave etnike, po pengoheshin nga masonët. Ndërkohë mediat raporuan, se deri në 10 deputetë dhe rreth 200 gjyqtarë dhe police, paguhen rregullisht nga masonët./ Theweek.co.uk-Përshtatur nga CNA.al