Të dashur miq,

Jo shumë vite më parë ishim plot ëndrra e aspirata të mëdha për veten dhe vendin. Sot, jemi sërish në dëshpërim për të ardhmen tonë. Etja për pushtet e pasurim e një grushti politikanësh dhe klientëve të tyre e ka lënë Tiranën e gjithë Shqipërinë në varfëri e pa të ardhme. Shpresat se kjo elitë e korruptuar politiko-ekonomike mund të ndryshojë apo reformohet tashmë janë shuar.
Ndryshimi, përparimi, e mira mund të vijnë vetëm nga ne, njerëzit e thjeshtë dhe të lirë. Ne që duam një shoqëri të drejtë, një shoqëri që shpërblen aftësinë, punën dhe ndershmërinë, jemi shumica. Nëse bashkojmë mendjet, zemrat dhe vullnetin tonë, ne do të ndërtojmë shoqërinë që dëshirojmë. Nëse ngrihemi mbi mosbesimin, dyshimet e pesimizmin, ne do të gjejmë forcën për këtë ndryshim.
Unë besoj se fatin tonë e kemi vetë në dorë. Ndaj shpresoj që 21 qershori do të jetë dita kur do të votojmë ndryshe. Me këtë shpresë, dua të kërkoj votën tuaj. Kërkoj votën tuaj për të protestuar kundër së keqes. Kërkoj votën tuaj për t’u ngritur kundër arrogancës. Kërkoj votën tuaj për të çliruar jetët tona nga sundimi i partive të korruptuara dhe të inkriminuara. Mbi të gjitha, kërkoj votën tuaj për të filluar, së bashku, një rrugëtim të ri.
E gjithë fuqia jonë është vota. E mira dhe e keqja jonë burojnë nga vota. Ndaj le ta përdorim votën tonë për të mirën, për të drejtën, për të ardhmen e denjë dhe të lirë. Edhe një votë të vetme. Çdo votë. Uroj gjithë të mirat për ju dhe familjet tuaja.

Sinqerisht,
Gjergj Bojaxhi
Nenshkrimi

Facebook www.netirana.al
Gjergj Bojaxhi