Të nderuar zonja dhe zotërinj,
duam t’ju vëmë në dijeni që në 15 shtator 2016 do të hap dyert e saj shkolla e parë gjermano-shqiptare në Tiranë.
Mësimi do të zhvillohet sipas kurrikulës dhe programeve mësimore të landit të Thüringen-it.
Kjo shkollë është një institucion arsimor i liçensuar nga Ministria e Arsimit dhe Sportit të Republikës së Shqipërisë.
Bëhet fjalë për një projekt privat nga Znj. Orieta Jazxhi (administratorja e shkollës).
Për proçesin e mësimdhënies është marrë me qera një vilë në Tiranë- Selitë.
Këtë vit shkolla do të hapë tre grupe të klasës së I-rë (Gjermanishtja si gjuhë mëmë, Gjermanishtja si gjuhë e dytë dhe Gjermanishtja si gjuhë e huaj), dy klasa të II-ta paralele (Gjermanishtja si gjuhë mëmë dhe Gjermanishtja si gjuhë e huaj), si dhe dy klasa të III-ta paralele (Gjermanishtja si gjuhë mëmë dhe Gjermanishtja si gjuhë e huaj).
Në çdo klasë mësimi do të zhvillohet nga mësuese që flasin gjuhën amtare, pra mësuese shqiptare për klasat me programin shqip dhe mësuese gjermane/austriake/zviceriane për klasat me programin gjermanisht.
Shkolla fillore gjermano – shqiptare është konceptuar si një pikë takimi ndërmjet fëmijeve shqiptarë, gjermanë por edhe fëmijëve me kombësi të tjera, për tu afruar me njëri-tjetrin, për të komunikuar midis tyre dhe për të pasuruar njeri-tjetrin me shumëllojshmërinë e gjuhëve, kulturave dhe traditave të tyre.
Prandaj në këtë shkollë, dialogut i bashkangjisim një kuptim integrues dhe ndërlidhës.
Shkolla gjermano- shqiptare është nje hapsirë ku mësohet dhe jetohet, në të cilin fëmijët arsimohen sipas planeve mësimore nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës të landit të Thüringen-it, të cilat përpunohen sipas temave duke ju përshtatur mjedisit shqiptarë, dhe duke iu përgjigjur kërkesave dhe nevojave të jetës.
Para fillimit të shkollës ne do tju njoftojmë për inagurimin e shkollës ku do të jetë e pranishme dhe ministrja e arsimit.
Ndihuni të lirë ta transmetoni këtë informacion më tej në bisedat me miqtë tuaj.
Me respekt,
Shkolla gjermano-shqiptare
Orieta Jazxhi
|